Diaspora Kërkon Ulëse të Rezervuara në Parlament

Përfaqësues të Diasporës së Kosovës insistojnë që të jenë pjesëmarrës aktivë në institucionet e Kosovës, përfshirë 10 ulëse të rezervuar në Parlament.

Në një tryezë të organizuar nga Instituti “Diaspora në Zhvillim”, përfaqësues të mërgatës kosovare kanë thënë se ndihen të përjashtuar nga të gjitha sferat e jetës në Kosovë.

Shaban Haliti, kosovar me qëndrim në Zvicër, ka kërkuar ndryshime në legjislative, në bazë të të cilave ndryshime do të sigurohen dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës për diasporën kosovare.

“Ne si diasporë insistojmë që të jemi pjesëmarrës direkt në institucionet e Kosovës”, tha Haliti.

Në debatin me temën “Diaspora dhe Kosova”, bashkatdhetarët janë ankuar se janë përjashtuar nga regjistrimi i popullatës, sikurse dhe votimi.
 
“Regjistrimi i popullsisë duhet të fillojë sa më shpejt në mënyrë që edhe në të konsiderohemi si pjesë e Kosovës”, ka thënë Haliti.

“Ne jemi të përjashtuar. Votimin nuk e kemi të mundësuar në mënyrën më të lehtë, por është shume e komplikuar kështu që institucionet e Kosovës duhet të merren seriozisht me punën e votimit dhe t’iu mundësohet edhe qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, të votojnë në mënyrë të dinjitetshme”, tha Shaban Haliti.

Për bashkatdhetarin nga Zvicra, Faruk Osmani, njëherësh këshilltar i jashtëm i ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, diaspora mbetet e anashkaluar.

“Zvarritjet e shumta në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve të grumbulluara me vite, bënë që diaspora te mendojë se është e anashkaluar dhe e keqtrajtuar nga organet udhëheqëse të vendit të tyre”, tha ai.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thanë se nëpërmes ambasadave dhe konsullatave do të mund të organizonin mbajtjen e zgjedhjeve në qytete të Evropës, ku ka koncentrim të kosovarëve.

“Ne mund të ndihmojnë në organizim të zgjedhjeve, mirëpo së pari duhet të zgjidhet me legjislacion çështja e juaj dhe konsullatat dhe ambasadat tona do të ndihmojnë në mbajtjen e zgjedhjeve”, tha Agron Maloku, nga Ministria e Punëve të Jashtme.